Lokacioni “Bregu i Lepencit” mund të përshkruhet si një park rekreativ që ndodhet përgjatë bregut të lumit Lepenc në Fshatin Soponicë dhe është zhvilluar për qëllime rekreative dhe mjedisore. Shërben si një hapësirë ku njerëzit mund të shijojnë aktivitete të ndryshme në natyrë, të lidhen me natyrën dhe të vlerësojnë bukurinë e lumit dhe lokacionit përreth.
Ky park është i dizajnuar për të ofruar një përvojë unike në natyrë. Këtu përfshihen disa komponente të parkut, së pari në pjesën qendrore është skara dhe vendi për pregatitjen e flisë, vazhdon me ulëset e dizajnuara për vizitorët si dhe ka qasje në lumin Lepenc. Vendosja e parkut në këtë lokacion unik është që vizitorët të kenë qasje dhe të freskohen në lumin e kristaltë të Lepencit.
Një nga qëllimet kryesore të një parku lumor është ngritja e vetëdijes si dhe ruajtja dhe mbrojtja e mjedisit natyror që rrethon lumin. Kjo përfshin ruajtjen e integritetit të brigjeve të lumenjve dhe garantimin e mbrojtjes së florës dhe faunës në zonë. Me kreativitet, punë e përkushtim arritëm kombinimin sa më optimal mes elementeve bazë natyore si gjelbrimi dhe uji.
Këto aktivitete organizohen në kuadër të projektit “Shijoni lumenjtë e pellgut të Lepencit” i cili implementohet nga Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit Gjethi dhe financohet nga Programi IËRM-K dhe Komuna e Kaçanikut.
IWRM-K është Program i Agjencisë Zvicerrane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i Qeverisë së Kosovës, i implementuar nga Skat Consulting Ltd. (Zvicërr) në konsorcium me Agjencinë e Mjedisit Austria (EAA).