Muzeu i Qytetit të Kaçanikut hap dyert për vizitor
Nga sot qytetarët e Kaçanikut do të kenë dyert e hapura për të vizituar Muzeun e qytetit. Në një ceremoni solemne me rastin e hapjes së Muzeut të Qytetit, morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale, anëtarë të Kuvendit Komunal, përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, familje të dëshmorëve, invalid e veteran të UÇK-së si dhe qytetarë të shumtë.
Në fjalën e tij Kryetari i Komunës Besim Ilazi tha se më në fund po realizohet një kërkesë e kahmotshme e qytetarëve, e cila u realizua me këmbëngulësinë e vullnetin e shumë njerëzve që punuan pa ndalë deri në realizimin e projektit. Kryetari falenderoi anëtarët e Këshilit për funksionalizimin e Muzeut, si dhe të gjithë ata që në forma të ndryshme kontribuan, ndërsa shtoi se ky Muze do të jetë një arkiv i historisë sonë, ku do të ruhet dhe prezantohet trashëgimia jonë historike, kulturore e shpirtërore.
Edhe drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport Hafize Sallahu përshëndeti takimin, duke falenderuar të gjithë ata që ndihmuan në jetësimin e projektit, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të sjellin artefakte të ndryshme në Muze.
Në emër të këshillit për funksionalizimin e Muzeut, foli Kryesuesi Hajredin Ramajli, i cili prezantoi punën dhe angazhimin e këtij këshilli deri në finalizimin e punëve.
Muzeu Qytetit të Kaçanikut është projekt i financuar nga Komuna e Kaçanikut, ndërsa një pjesë e hapësirës së Muzeut është e dedikuar për luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Komuna Kaçanik

