te Lepenci – Sllatinë Kaçanik

You are currently viewing te Lepenci – Sllatinë Kaçanik

Poshtë maleve të Sharrit e majës më të bukur në Botë Lubotenit, nën autostradën “Arbër Xhaferi”, përgjatë lumit Lepenc e në një luginë të blertë duket një fshat që nëse nuk ke ndonjë njohuri paraprake mendon se je diku në Zvicër. Jo, ky fshat i bukur, pitoresk e i njerëzve të vyer nuk është në Zvicër por është fshati Nikaj në Kaçanik.

Banorët e këtij lokacioni janë të njohur për shumë gjëra. Le t’i theksojmë disa nga to. Ky fshat ka një numër të madh të banorëve që jetojnë jashtë vendit, sipas njohurive të përgjithshme dominon diaspora e vendosur në Kantonin e Friburgut në Zvicër. Një komunitet punëtorësh e njerëzve të sinqertë që me punën e tyre kanë arritur shumë. Banorët poashtu njihen edhe me njohuritë e përpunimit të drurit dhe për dekada të tëra kanë dominuar me punëtoritë e tyre në Komunën e Kaçanikut. Një kategori e tyre janë edhe profesionistë të vyer si inxhinierë, arkitektë, biznismenë, mjekë etj.

Si komunitet i vyer që me punën vullnetare kanë kryer shumë projekte janë të njohur edhe shumë herët. E kujtojmë si njëri ndër fshatrat e parë i shtruar me asfallt dhe punë vullnetare, pikërisht ky fshat ka dhënë shembullin më të mirë se si puna dhe kontributi i përbashkët japin rezultate.

E ky shkrim pikërisht e ka për temë njërin ndër projektet e fundit. Ky projekt një befasi e këndshme për rrethin e ngushtë meriton që të vizitohet edhe nga banorët e tjerë nga e tërë Kosova. Projekti: Monumenti “ Kulla e Nikajve” u ndërtua me kontributin e jashtëzakonshëm të vendasve. I vendosur buzë autostradës qëndron si një testament i kohës me elemente tradicionale ndërtimi, materiale lokale me gurët e njohur të Lepencit me një prekje të lehtë moderne.

Kulla i ka dy kate, kati përdhesë mund të përdoret edhe si një sallë per konferenca, tubime e mbledhje të ndryshme. Kurse kati i lartë, tanimë e ka marrë formën e një muzeu historik me karakter lokal e më gjerë. Vlen të theksohet se në implementimin e projektit ka pasur ndihmë edhe nga Muzeu Historik Kombëtar nga Tirana.

Ndër artifaktet e shumta që janë aty ka artifakte nga historia, si enë, dokumente origjinale, artifakte të ndryshme kurse dominon prezenca e artifakteve nga e lufta e lavdishme e UCK-se. Aty gjenden gjësende të përdoruna gjatë luftës si dhe gjëra personale të heronjëve të kombit si dhe martirëve nga Nikajt dhe Komuna e Kaçanikut. Më interesante janë artifaktet luftarake të heroit të Kombit Feriz Gurit – Komandant Shpata. Përveq që si usharak gjatë luftës, ai njihej në rrethin e gjërë shoqërorë edhe si një intelektual dhe profesionist i dashur.

Rënia e tij la zbrazëti në zemrat e kosovarëve dhe ne kemi një intelektual e qytetar të vyer më pak, por ai ra për të jetuar gjithmonë.

Poshtë Kullës është edhe lapidari i katër heronjëve nga ky fshat.

Kjo kullë ia vlen të vizitohet dhe është një pike reference për historinë e fundit.