Nga: Hajredin Ramajli .
Xhamia e Koxha Sinan Pashës, Kaçanik.
Një ndër monumentet e trashëgimisë kulturore të Kosovës është edhe Xhamia e Koxha Sinan Pashës në Kaçanik e regjistruar me kodin unik 003172. Në kohën e pushtimit otoman, Kaçaniku u vlerësua si një vend shumë strategjik dhe Koxha Sinan Pasha vendosi që ta fuqizoj edhe me tutje këtë vendbanim duke rindërtuar kalanë, duke ndërtuar xhaminë e Kaçanikut si dhe disa objekte tjera siç janë: një imaret (kuzhinë publike), një medrese (shkollë fetare) afër xhamisë, dy hane (bujtina), një hamam (banjë publike) dhe disa mullinj në lumin lepenc.
Objekti i xhamisë së Kaçanikut i përket artit islam dhe sipas kronogramit që gjendej në xhami ishte shkruar “Një tempull i bukur dhe vend lavdi plot 1043 (1594)” le të kuptohet se xhamia ishte ndërtuar apo ndërtimi kishte filluar në vitin 1594. Pas përfundimit të ndërtimit të objektit të xhamisë me pjesët përbërëse; kupolës, hajatit, mafilit, sallës së lutjeve, mihrabit, mimberit, minares, qeshmës për avdes dhe oborrit të rrethuar me mur prej guri, ajo morri një pamje madhështore dhe e mbuluar me lavdi në të filluan të praktikoheshin ritet fetare. Falja e namazit në këtë xhami nuk ishte ndërprerë asnjëherë gjat tërë historisë së saj deri në ditët e sotme. Falë arkitektëve dhe mjeshtërve të ndërtimit të asaj kohe, e njëjta i ka rezistuar kushteve atmosferike dhe tërmeteve që kanë ndodhur gjat historisë pa asnjë dëmtim serioz.
Xhaminë e ka ndërtuar Koxha Sinan Pasha Topojani që ishte me origjinë shqiptare nga Fsh. Topojan në Lumë të Shqipërisë apo siç shkruan Tahir Efendia në kronikën “Veziri i Madh Gaziu” ku thuhet “e quajnë Sinan Pasha, është nga Topojani, e ka pushtuar Jemenin”. Në anën tjetër, Hasan ef. Kaleshi shkruan se Sinan Pasha Topojani, është i biri i Aliut dhe i ati i Mehmet Pashë Kaçanikut. Emri i Koxha Sinan Pashës lidhet me qytezën e Kaçanikut për ndërtimet e tij. Këto të dhëna i kemi nga Evlija Çelebia i cili në “Librin e udhëtimeve” 1660 thotë se, “Koxha Sinan Pasha ka ndërtuar Kalanë e Kaçanikut, përveç kalas ka ndërtuar edhe një Xhami e cila edhe sot mban emrin e tij”. Gjithashtu në këtë shkrim, Kaçaniku para 361 viteve zyrtarisht cilësohet si kasaba që do të thotë qytezë.
Xhamia e Koxha Sinan Pashës në Kaçanik ishte një godinë me përmasa të mdhaja për kohën kur është ndërtuar, pra para 427 viteve. Në vitin 1594 objektet me përmasa të xhamisë së Kaçanikut ishin shumë të rralla në Kosovë. Në dekadat e para të shekullit të XVI përmendën vetëm 2 xhami në Prishtinë, 3 xhami në Prizren dhe 1 në Gjakovë që ishin të përafërta me karakteristikat dhe përmasat e xhamisë së Kaçanikut. Duke ju referuar këtij numri të vogël të këtyre xhamive të mëdha, është i papranueshëm mendimi se në vitin 1594 në Kaçanik nuk ka pasur banorë dhe se Kaçanikun e ka themeluar Koxha Sinan Pasha. E vërteta është se nuk ka pasur banorë si në Prishtinë dhe Prizren por krejt ky objekt i xhamisë nuk është ndërtuar për një garnizon me 50 ushtarë apo me shpresë që më vonë do të vijnë banorë dhe ta popullojnë Kaçanikun. Në vitin 1573 udhëpërshkruesi frëng Philip De Frense Kanaye në veprën e tij “Udhëtime për në lindje” për Kaçanikun shkruan: “Arritëm në Kaçanik – Karavan Saraj shumë i bukur, por i braktisur për shkak të murtajës”. Sipas këtij përshkrimi, Kaçaniku kishte banorët e tij 21 vite para se të ndërtohej xhamia, gjithashtu ka pasur rrugë dhe rrugica me krejt infrastrukturën e një vendi urban të vogël sipas kushteve të asaj kohe.
Edhe Evlia Qelebia që kishte vizituar Kaçanikun në vitin 1660 (vetëm 66 vite pas ndërtimit të xhamisë) shkruan se “në Kaçanik jashtë kalasë janë 100 shtëpi, të gjitha me çati me tjegulla e me kopshte” pa i përmendur shtëpitë tjera më modeste por vetëm ato me “çati me tjegulla dhe me kopshte” që për atë kohë ishin mjaft të kushtueshme. Në të njëjtin shkrim thotë se, brenda kalas janë rreth 40 apo 50 shtëpi. Për këto shtëpi duhet të theksohet se në mesjetë shumica e kështjellave/kalave ishin të braktisura si në rajon po ashtu edhe në trevën tonë. Banorët që jetonin afër këtyre kështjellave shfrytëzuan këtë rast dhe i meremetuan ndërtesat ekzistuese duke i përshtatur për banim dhe jetë familjare, si dhe u ndërtuan shtëpi të reja duke përdorur materialin e ndërtesave të rrënuara të kalas si material i gatshëm. Të njëjtin fat pati edhe kalaje e Kaçanikut dhe kjo shpjegon faktin se pse në kohën e vizitës së Evlija Qelebis brenda kalasë së Kaçanikut gjendeshin 40 apo 50 shtëpi. Kjo e dhënë qon në përfundim se shumica e shtëpive brenda kalasë kanë ekzistuar dhe kanë qenë në shfrytëzim nga banorët vendorë para se të rindërtohej kalaja përndryshe do të ishte jo racionale të ndërtoheshin 40 apo 50 shtëpi kurse garnizoni kishte vetëm 50 ushtarë që i bie të ndërtohej përafërsisht 1 shtëpi për 1 ushtarë.
Pa pasur nevojë të hyhet më thellë në analizime dhe krahasime të ndërsjella të këtyre dëshmive të shkruara siç u cekën më lart, është i pa diskutueshëm fakti se Kaçaniku ishte i banuar shumë më herët para se perandoria osmane të shtrihej në Ballkan.