Ky monument historiko- kulturor i ndërtuar mes viteve 1586 –1590 nga Koxha Sinan Pasha, ku dikur kishte rreth 50 shtëpi të banuara për ushtar, tash thuaja se ka mbet vetëm në muret kryesore, ndaj edhe konservimi dhe restaurimi do të ndryshonin jo vetëm pamjen e kalasë por do të bëhej një objekt më tërheqës si për vendasit ashtu edhe turistët e huaj, pasi edhe vet Kaçaniku ka një histori të lavdishme
Teksti : Rexhep Rifati
Në vazhdën e prezantimit të kalave shqiptare gjatë çdo fund jave, zakonisht të shtunave, kësaj radhe një prezantim të shkurtër për kalanë e Kaçanikut, kalanë më të afërme me qytetin tim, Ferizajn, aq më parë që Kaçaniku për mua ka edhe një lidhje emocionale si vendbanim i dajave të mi, ku me ëndje e kam kaluar fëmijërinë. Madje edhe duke lozur me bashkëkohanik po mbi këtë kala!
Sa i përket vet Kalasë së Kaçanikut, ajo gjendet në qendër të qytetit dhe ka një histori relativisht të hershme, që nga shekulli i XVI- të. Sipas burimeve, kalaja e Kaçanikut është ndërtuar me urdhër të Sulltan Muratit të II, lëshuar qysh më 1582, ndërsa është ndërtuar nga ana e Koxha Sinan Pashës, sikur edhe xhamia në qendër të qytetit.
Po sipas këtyre burimeve në të cilat mbështet edhe Wikipendia: “ Kështjella filloi së ndërtuari më 1586 dhe përfundoi më 1590”. Ndërsa, që sot shihet në kalanë e Kaçanikut kanë mbetur vetëm dy mure, njëri në perëndim dhe tjetri në veri, së bashku me portën hyrëse dhe kullën cilindrike që ndodhet në anën e djathtë të portës”.
Do përmend se nga 40-50 shtëpitë për ushtarë që kanë ekzistuar dikur në oborrin e kalasë, sot nuk gjendet asnjë. Ndërsa që mbi te së voni, rreth viteve të `60-`70 qe ngritur edhe një motel, duke ia humb sado origjinalitetin monumentit, por mesa duket as ai tash nuk është funksional, apo nëse po, dikush mund të na plotësojë.
Përndryshe, muret e kalasë kanë një gjerësi prej 1.60 metrash dhe sa i përket materialit mjeshtrit e asaj kohe kanë përdorur kryesisht gurin, që e kanë lidhur llaç gëlqeror, që nuk mungon në këtë anë. Sa për ilustrim në Kaçanik ekziston edhe një farikë për prodhimin e gëlqeres. Gjithashtu janë përdor edhe tulla, kryesisht per dekorim. Veç tyre, janë përdorë edhe tullat, që i hasim mbi portën e vetme të kalasë dhe janë përdorë kryesisht për dekorim.
Sa i përket dekorimeve ato bien në sy edhe te porta hyrëse dhe dera e kullës cilindrike, që janë realizuar në tërë thellësinë e murit, pra nuk bëhet fjalë për dekorim vetëm anësor. Kjo kala paraqet një lokalitet me rëndësi të madhe kulturore, historike, shkencore dhe shoqërore. Në mënyrë që të ruhen këto vlera, Kalaja e Kaçanikut ka nevojë për ndërhyrje konservuese dhe restauruese, thuhet në këtë burim të marr nga Ministria e Kulturës , Rinisë e Sportit, gjegjësisht Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës.