Pikërisht rreth orës nëntë diku në periferi të Kaçanikut mbi Gurin e shpuar dëgjohen shpërthimet e fishekzjarrëve që na kujtojnë vitin e largët, pikërisht para 25 viteve, kur liria trokiti në dyert tona. Ndriçohen edhe tri shkronja që kanë peshën e rëndë të një periudhe e sakrifice që është e skalitur në zemrën e secilit Kosovar.
Janë djemtë tanë që për këtë ditë kishin menduar shumë kohë më parë dhe tani ne i korrim frytet e asaj sacrifice popullore që u shkrue në librin e historisë me kapitullin më të ri, me djersën e gjakun e luftëtarëve të lirisë.
Kohë e vështirë!…Viti 1999, 11 qershor, dy ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës forcat okupatore me makinerinë e rëndë ishin duke bërë pregatitjet e fundit për të lënë Kosovën përgjithmonë dhe organizonin konvojin e disfatës. Diku në Kaçanik ushtarët e Brigadës 162 Agim Ramadani diskutojnë për një vendim të vështirë por të dommosdoshëm. U diskutua për ngritjen e flamurit Kombëtar, flamur me të cilin njerëzit liridashës kishin luftuar me shekuj të tërë për atë më të shtrenjtën, lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Protagonisti i shkrimit tonë Luli i Kaçanikut, Lulzim Tirolli i njohur nga shoqëria me nofkën Krraba së bashku me shokët e tij të frontit Rexhep Reka, Ramadan Reka dhe Zymri Reka u nisën drejt rrokaqiellit të vëtëm në atë kohë në Kaçanik për të ngritur Flamurin kombëtar. Këmbësoria e armikut ishte e zënë duke djegur shtëpitë në qytet aty ku mundej me nguti. Luli së bashku me grupin e tij filluan rezistencën e fundit para çlirimit të plotë. U shkëmbyen rafale, britma dhe të mundur pushtuesit u larguan. Në ato momente Luli me grupin e tij u ngjitën shkallëve të soliterit dhe e vendosën flamurin mbi çatinë e ndërtesës. Kjo skenë e cila ngjanë me ngritjen e flamurit nga marincat amerikan pas Betejës së Iwo Jimës, ishte një skenë e cila ndodhi atë ditë në Kaçanik,…nuk ka fotografi, por ajo ngjarje është në mendjen e banorëve tonë. Më pas bashkëluftëtarët e Lulit u takuan me grupin e luftëtarëve të Canës, Dadinit dhe të tjerëve.
Kërkuam nga ai ndonjë fotografi nga ai e kishte vetëm një me mjekër, në kushte lufte, nuk ka pasur kohë për fotografi. Kjo ngjarje epike duhet të shënohet dikund për tu mbajtur mend nga të gjithë edhe nga të rinjtë. Ngjarje e mozaikut të sakrificës.
Heronjtë janë të gjallë!